Juventusi mëson çmimin për transferimin e Zhegrovës

  • A.P /
  • 26 April 2024 - 18:46
Juventusi mëson çmimin për transferimin e Zhegrovës

Drejtori sportiv i Juventusit, Cristiano Giuntoli, ka kontaktuar me Lille për të eksploruar një lëvizje Edon Zhegrovën.

“Bianconerët” po përgatiten për një afat të rëndësishëm transferimi në verë, duke filluar që të rindërtojnë skuadrën.

Juventusi është i interesuar për një anësor të ri, veçanërisht pasi bisedimet për kontratën e re me Federico Chiesan nuk po japin rezultat.

Zhegrova ka vazhduar të rritet dhe të shkëlqejë me Lille këtë sezon, duke shënuar 11 gola dhe duke dhënë nëntë asistime në 43 paraqitje.

Siç raportohet nga “Calciomercato”, Juventusi ka dërguar skautët për të ndjekur nga afër reprezentuesin e Kosovës në një numër rastesh këtë sezon dhe drejtori Giuntoli së fundmi ka kontaktuar për të kuptuar kufijtë e një marrëveshjeje të mundshme, duke mësuar çmimin prej 15 milionë eurosh të anësorit.

Fleksibiliteti taktik, aftësitë teknike dhe personaliteti i 25-vjeçarit thuhet se e bëjnë atë një opsion tërheqës për “Zonjën e Vjetër”.

Ndryshe, Edon Zhegrova me Lillen ka kontratë të vlefshme deri më 30 qershor 2026.

(Kosova Sot Online)