Ky vend mbështet idenë e dislokimit të armëve bërthamore të NATO-s

  • A.P /
  • 26 April 2024 - 23:00
Ky vend mbështet idenë e dislokimit të armëve bërthamore të NATO-s

Presidenti i Lituanisë mbështeti dëshirën e shprehur nga homologu i tij polak që NATO të dislokojë armë bërthamore në rajon në dritë të kërcënimit në rritje që vjen nga Rusia, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Dy krerët e shtetit diskutuan për sigurinë teksa vëzhguan stërvitjet ushtarake në Suvalki, një korridor që kalon në kufirin mes Polonisë dhe Lituanisë, përmes enklavës ruse të Kaliningradit dhe Bjellorusisë.

“Ideja e dislokimit të armëve bërthamore nuk është luftënxitëse apo kërcënim ndaj Rusisë. Është një element i sistemit parandalues, i cili duhet të veprojë si një faktor i rëndësishëm i parandalimit”, tha për gazetarët presidenti lituanez, Gitanas Nauseda.

Ditëve të fundit, presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka propozuar stacionim e armëve bërthamore në Poloni, edhe pse ideja është hedhur poshtë nga figura të tjera në këtë shtet, përfshirë edhe nga kryeministri polak, Donald Tusk.

Më 26 prill, Duda sërish përmendi këtë ide.

“I gjithë territori i NATO-s, siç e kuptojmë ne, duhet të mbrohemi në mënyrën e duhur. Prandaj, është shumë e logjikshme që duhet të zhvendosen sistemet bërthamore në krahun lindor të NATO-s”, tha ai.

“Ne, si një prej këtyre shteteve kemi shprehur gatishmërinë tonë që të jemi nikoqirë të këtyre armëve”, shtoi ai.

Duda i bëri këto deklarata gjatë stërvitjeve ushtarake në qarkun Alitus të Lituanisë.

Gjatë stërvitjeve, 1.500 trupa testuan skenarë të mbrojtjes në korridorin Suvalki, që konsiderohet si “Thembra e Akilit” e krahut lindor të NATO-s.

(Kosova Sot Online)