Kanë përfunduar pesë ndeshjet e javës së 32-të në Superligën e Kosovës

  • A.P /
  • 05 May 2024 - 17:09
Kanë përfunduar pesë ndeshjet e javës së 32-të në Superligën e Kosovës

Kanë përfunduar të pesë ndeshjet e javës së 32-të në Superligën e Kosovës.

Ballkani regjistroi fitore 3:0 ndaj Dukagjinit, për të vazhduar kryesimin në tabelë dhe garën për titullin e kampionit.

Kampioni në fuqi dy golat e parë të fitores i shënoi në pjesën e parë, përmes Lindon Emërllahut (7’) dhe Edvin Kuc (24’). Rezultati përfundimtar u vulos nga Nazmi Gripshi (90+6′).

Ballkani tani prin në tabelë me 66 pikë, kurse Dukagjini mbetet i gjashti në tabelë me 39 pikë.

Fitore të rëndësishme sot arriti edhe Llapi, që vazhdon të mbajë presionin mbi liderin.

Llapjanët triumfuan në “Zahir Pajaziti” ndaj Feronikelit ’74 me rezultatin 3:2.

Muhamet Hyseni shkëlqeu në këtë përballje me dy gola (22’, 51’), teksa goli tjetër u shënua nga Ahmed Januzi (32’).

Për “Niklin” realizuan Ruben Tarasco (14’) dhe Jakup Berisha (44’).

Llapi pas kësaj fitore ka 64 pikë në pozitën e dytë. Feronikeli ’74 mbetet në pozitën e tetë me 34 pikë.

Pikët e plota arkëtoi edhe Drita, për të mbajtur gjallë shpresat për titullin e kampionit.

Gjilanasit triumfuan si vendas 3:1 ndaj Fushë Kosovës, me golat e Blend Baftiut (6’, 53’) dhe Besnik Krasniqit (77’). Për skuadrën mysafire golin e vetëm e realizoi Dorent Hajdari (74’).

Drita tani ka 62 pikë dhe vazhdon të jetë e treta në tabelë. Ndërsa, Fushë Kosova, e përshëndetur nga elita e futbollit tonë, është e parafundit me 20 pikë.

Edhe Prishtina mori fitore në udhëtim ndaj Lirisë. Ndeshja në stadiumin “Përparim Thaçi” u mbyll me rezultatin 0:1.

Golin e fitores për prishtinasit e shënoi Albin Krasniqi (86’).

Prishtina pas këtij triumfi ka 46 pikë dhe renditet e pesta në tabelë. Liria është e fundit me 14 pikë.

Fitore sot nuk dhuroi përballja mes Malishevës dhe Gjilanit në “Liman Gegaj”. Kjo ndeshje u mbyll baras dhe pa gola.

Malisheva mbetet e katërta në tabelë dhe tani ka 53 pikë, kurse Gjilani vazhdon të jetë i shtati me 35 pikë. 

(Kosova Sot Online)