Martin Segoni erudit e humanist i madh dardan

Martin Segoni erudit e humanist i madh dardan
Martin Segoni erudit e humanist i madh dardan

Gjon keka

  • 09 May 2024 - 21:43

Nga Gjon Keka

-Një nga figurat humaniste që ka dhënë kontribut me vlerë në historinë e kombit tonë arbëror është edhe ipeshkvi i Kosovës Martin Segoni.I lindur në vitin 1426( disa autor thonë se ka lindur më 1439) nga ati i tij Gjon Segoni në Novobërd të Kosovës,ai studio në Padovë ku edhe mori doktoraturën për drejtësi civile dhe kishtare,si një mendje e ndritur e kohës tërë dijen e tij e shkriu si në shërbim të besimit ashtu edhe të historisë së kombit tonë arbëror europian.

Është ndoshta humanisti e urtaku më i frytshëm i Kosovës në këtë drejtim e udhë-sakrificën e tij të cilën e hapi edhe për pasardhësit tjerë humanist sikur që ishte Pjetër Bogdani ,Shtjefën Gjeqovi etj.

Duke qenë i përgatitur dhe i formuar në një nga Universitetet e njohura të Padovës aty ku dolën shumë llamba ndriçuese të humanizmit europian e arbëror ,ai arriti që gjithë dijen e fituar dhe farën e saj që kishte marrë nga atje ta mbillte në atdheun Dardan,aty ku mbante lidhjet si dhe në Ulqin aty ku shërbente si ipeshkvë, duke mos harruar edhe Kotorrin e paraardhësve të tij.

Por humanizmi, ashtu si Kisha, kishte një element kozmopolit dhe aftësinë për t'u bërë pronë e përbashkët e të gjitha kombeve. Prandaj ai u ngjit nga Novobërda e Kosovës mbi Alpet dhe hyri në Padovë të Italisë pasi ishte konsoliduar dhe thelluar me dije e formuar deri në disertacionin e Doktoraturës,ai aty pastaj nxorri më shumë dritë për humanizmin europian e arbëror dhe historinë e saj. Kështu “Martin Segoni, nga Novobërda, i bashkohet panteonit të madh të Rilindjes Europiane. Ky klerik i shkolluar në Padovë, doktor i së drejtës civile dhe kishtare, në kohën e fundit të jetës së tij kishte shërbyer ipeshkëv në Ulqin, ku edhe kishte vdekur në vitin 1485. duke qenë bashkëkohanik i Skënderbeut dhe i epokës së bujshme historike të tij, nuk është çudi, që ky humanist, i cili, për vete thotë se është natione chatarensis (me kombësi kotoras), shkruan për shqipatrët dhe luftrat e tyre kundër osmanëve. Siç ishte e zakonshme në atë kohë, ai shqiptarët i quan epiriot (Epirotice gentes); te ai kemi të dhëna edhe për qytetin Arbana, të cilin e lidh rruga me Apoloninë.”Pas vdekjes së tij,selia e Ulqinit kishte mbetur pa ipeshkvin e saj dhe për ta zëvendësuar atë „vend vakant u dërgua Marin Gamba.“

Megjithatë është e panevojshme të thuhet, kushtet për depërtimin e shpejtë të jetës së frymës antike nuk ishin askund aq të pranishme sa në Itali, e cila në këtë mënyrë mori një trashëgimi të drejtpërdrejtë të kohës së saj parahistorike. Popujt e tjerë, mendja dhe shpirti i të cilëve ishin të ndryshëm,por jo edhe aq të ndryshëm kur është në pyetje populli arbëror-dardan,

Sepse nëse flasim për Arbërinë ajo ishte në kontakt shumë të ngushtë fetar e kulturor me Italinë,Raguzën dhe Prelaturën e cila në fakt ishte në gjendje të përvetësonte përpjekjet humaniste.Vetë fakti që shumë nga arbërorët gjendeshin në djepin ku lindi humanizmi europian, tregon se edhe tek ne nuk mungonte kultivimi i mendjeve të tilla humaniste europiane.Kështu edhe Segoni duke u formuar në një vend të tillë ai sëbashku me humanistët tjera që ishin aty si nga Spanja, Anglia, Gjermania ,Franca etj,përçuan edukimin humanist në ato vende prej nga edhe vinin.

Duhet thënë se pasuri e madhe ishte edukimi i asaj gjenerate arbërorësh në Universitetet europiane të asaj kohe,ndoshta duhet vënë këtë re se në atë kohë kur gadishulli Ilirik ishte pushtuar dhe qëndronte çizmja turke e sulltanit mbi kurriz nuk kishte frymë lirie e shkollimi, dhe as mundësit e kushtet për një formim të tillë të gjeneratave.

Prandaj,e vetmja mundësi ishte shkollimi dhe edukimi në Universitete tjera europiane ku ende nuk kishte shkelur këmba e pushtuesit turk dhe ku bazat e fushave të shkencave dhe dijes ishin në lartësin e tyre të dinamikës së kohës dhe arritjeve të tyre.Kështu edhe Martin Segoni u formua në ato Universitet prej nga edhe solli frymën humaniste dhe dritën e saj në trojet e Arbërisë e Dardanisë.

Nuk ishte vetëm Novobërda e në këtë rast Kosova me fat që kishte një humanist të tillë si Segoni,atë fat e pati edhe Ulqini në Mal të Zi ku ai edhe shërbeu dhe realizoj projektet e tij që i kishte nisur që nga studimet e tij në Padovë.Shenjat e para të sigurta të humanizmit arbëror europian shfaqen nën mbretërimin e Gjergj Kastriotit i cili nuk kishte vetëm shpirt luftarak ,por edhe të një humanisti të madh të kohës bashkë me ipeshkvin sekretarin e Shtetit dhe këshilltarin e tij politik Pal Engjëlli,astronomin dhe diplomatin Gjon Gazullin etj.

Segoni, i cili me erudicionin e tij të madh që përfshin të gjithë fushën e kulturës humane europiane të asaj kohe, fuqia e tij e veprës e punës tejkalon shumë nivelin e studiuesve të sotëm, ai në fakt me veprat e tij na jep një shembull të lavdishëm se si mund të mësohet njëkohësisht historia jonë dhe e drejta në sallat e leksioneve të Universitetit dhe si mund të punohet me forcë në shërbim të së vërtetës dhe vlerave humane europiane të arbërorëve. Në kohën e Segonit vetëm sa shohim se si humanizmi kishte hedhur themelet dhe ishte përqafuar në tokën arbërore dhe jo vetëm por në përgjithësi në gadishullin Ilirik,saqë në kohën e tij ,në të vërtetë ai e përgatiti dhe vuri në praktikë më të lartë të asaj kohe shpirtin dhe edukimin human si dhe zhvillimin e tij vazhdimisht që nga ajo kohë.

Kështu që në popullin arbëror, humanizmi fitoi drejtim,vetëdije dhe formoi thjesht humanen në kontrastin e tij të ashpër me atë të mëparshmin në veprat e larta morale dhe fetare. Kështu që ai nga ajo që bëri në Itali ,por jo vetëm ishte pjesë e rezultateve frytëdhënëse të tij, por edhe të kontributit të pasur që dha në kohën dhe vendin e duhur.Nga e gjithë kjo shihet se Martin Segoni ishte një mik i edukimit humanist.“Në këtë rast, duhet thënë, se mbi jetën dhe veprat e Martin Segonit, mund të flasim në bazë të të dhënave të publikuara të Agostino Pertusit, i cili, edhe i ka zbuluar dorëshkrimet e tij në Bibliotekën Amboziane të Milanos, kurse shkollimi i Martin Segonit në Padovë, ku, do të botojë librin e tij Pjetër Bogdanit më vonë, tregon për lidhjet, që kishin trevat tona me qendrat më të mëdha të humanizmit europian.“

Por duhet nënvizuar se nuk është vetëm Pertusi ai që është marrë me këtë figurë humaniste të Dardanisë. Sikur mund të shihni në dokumentet shoqëruese më poshtë emri dhe vepra si dhe kontributi i humanistit Kosovar Martin Segoni është e pashmangshme edhe nga shumë autor tjerë të mëhershëm.“Këtë e dëshmojnë dokumentet e shek. XV, si dhe jetëshkrimi më i hershëm për Skënderbeun, i shkruar gjatë viteve 1481-1482 prej ipeshkvit të Ulqinit, Martin Segonit nga Novobërda. Jetëshkrimi « Tregim për Gjergj Kastriotin, i quajtur në gjuhën turke Skënderbe, d.m.th. Aleksandri i Madh » (Narrazione di Giorgio Castriotto, da i Turchi nella lingua loro chiamato Scanderbeg, cioë Alessandro Magno) është hartuar nga Martin Segoni në disa faqe dhe është shfrytëzuar si dorëshkrim nga disa autorë të vjetër, bashkëkohës me autorin apo më të vonë.“Vetë fakti që emri i tij nënvizohet fortë tregon se ai ishte një nga mendjet e ndritura dhe humane të kohës dhe se vepra e tij bëri dritë si atëherë ashtu edhe sot për shumë gjenerata e popuj që patën dhe kanë përqafuar humanizmin dhe ushqejnë mendjen nga i njëjti burim i dritës.

Sikur që u përmend edhe më lartë Jetëshkrimi për Gjergj Kastriotin e cila si vepër është konsideruar e para nga një bashkëkohës sikur që ishte Martin Segoni ,e pas tij edhe Marin Barleti si një nga biografët e veprës së Skënderbeut ,vepër kjo e cila sigurisht që është bazuar edhe nga vepra e Segonit dhe është përkthyer në shumë gjuhë europiane e botërore ka vlerën e madhe si për kohën kur është shkrur ashtu edhe për ne sot,për historiografinë arbërore dhe europaine.Jo vetëm veprën mbi Gjergj Kastriotin ,ai shkroi edhe veprën tjetër „Varri i Krishtit, mbretit tonë“ si dhe vepra tjera që ai sigurisht ka lënë gjatë jetëveprimtarisë e shërbimit të tij në fushën e dijes dhe të besimit.

Dhe krejt në fund, ajo që është me rëndësi të nënvizohet këtu se ai si një humanist i kësaj ane të Gallapit është dëshmia më e mirë e përkatësisë së besimit të këtij rajoni pra si shqiptarë të krishterë të ritit katolik.Në këtë rajon pra të Gallapit, Kamenicës e Gjilanit dhe vendbanimeve brënda tregojn se aty kanë banuar shqiptarët që nga lashtësia dhe para ardhjes së pushtuesit turk e më pas pushtuesit serb aty kishte shqiptarë të krishterë ,por që me vonë pas pushtimit turk u ndërrua struktura religjioze me anë të dhunës dhe shtrëngesave tjera të politikës demoniake të sulltanit, Poashtu edhe pas pushtimit serb aty prunë popullësi të ndryshme sllave dhe përzierja kishte si qëllim ndërrimin e identitetit etnik e religjioz dhe strukturës së përgjithshme të tij.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".