Më në fund lëvizë BE-ja, masa të ashpra për anëtarësimin kundër Serbisë të kushtëzuara me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit

Më në fund lëvizë BE-ja, masa të ashpra për anëtarësimin kundër Serbisë të kushtëzuara me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit
Më në fund lëvizë BE-ja, masa të ashpra për anëtarësimin kundër Serbisë të kushtëzuara me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit

Gani Qarri

  • 23 April 2024 - 19:15

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Vendimi zyrtar i BE-së për kushtëzimin e Serbisë me normalizimin e raporteve me Kosovën, në procesin e integrimit në BE, është goditja e parë e drejtpërdrejtë kundër trashëgimisë millosheviçiane të politikës së kriminale të Aleksandër Vuçiqit dhe lidershipit nacionalist serb në krye të pushtetit në Serbinë fashiste!

 

 

Siç dihet më 27 shkurt të vitit 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars të po ati viti edhe pajtimin për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes në Ohër, prandaj Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), të cilat edhe kishin propozuar këto ndryshime, e kanë mirëpritur vendimin e Këshillit të Ministrave për ta ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësim të Serbisë në BE, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin e vet, konkretisht me shtetin e pavarur të Kosovës!

 

Andaj, ky është edhe veprim shumë i qëlluar i shumëpritur dhe më i duhuri, megjithëse mbase, paksa edhe i vonuar nga BE-ja, ndaj një shteti kriminal si Serbia fashiste, e cila për çdo ditë dhe me çdo veprim të saj, rrezikon në vijimësi paqen dhe stabilitetin në rajon që nga Bosnja, e Mali i Zi, deri në veri të Kosovës, por që fatkeqësisht, deri më tani vetëm sa është përkëdhelur në vijimësi, nga SHBA e BE dhe nuk është ndëshkuar,nga njëra as tjetra, asnjëherë! Kështu që Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian (BE), këtë të hënë, e ka miratuar përfundimisht vendimin për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësimin e Serbisë në BE, duke e kushtëzuar pranimin e saj me normalizimin e marrëdhënieve me shtetin e pavarur të Kosovës. Ky kushtëzim i detyruar, që edhe është i pari i këtij lloji kundër Serbisë, vije edhe si një presion direkt ndaj Serbisë hegjemoniste që e dërgon atë në drejtim të njohjes së pakthyeshme të pavarësisë së shtetit të Kosovës! Kushtëzimi për ndryshim në kapitullin 35 të kornizës negociuese, tanimë e bënë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën edhe kusht formal për Serbinë, në procesin e negociatave të anëtarësimit në bllok. Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes, andaj në tekstin e ri të kornizës negociuese si kusht është vendosur kjo fjali: “Serbia zbaton plotësisht obligimet që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, bazuar në Aneksin e zbatimit të saj, siç ishin pajtuar, të dy vendet, më 18 mars të vitit 2023”.

 

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaron se; “Të dyja palët kishin pranuar obligimet e tyre përkatëse dhe ne presim që të dyja palët ta zbatojnë Marrëveshjen dhe të gjitha obligimet që dalin nga dialogu, gjë që është kyçe për rrugëtimin e tyre evropian”, kurse sipas tij, në Agjendën e takimit të ardhshëm edhe për Kosovën do të bëhet formal një detyrim i tillë përmes një grupi “special për normalizim”, shtoi ai. Pra Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, detyrimisht, do të bëhej pjesë përbërëse e rrugëtimit të tyre drejt integrimeve evropiane, duke përfshirë në te edhe obligimin për zbatimin e marrëveshjes nga dialogu i Serbisë me Kosovën. Përparimi në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën edhe më herët kishte qenë pjesë e kushtëzimeve në negociatat e anëtarësimit të Beogradit në BE, por pajtimin për ndryshimin e kapitullit 35 e kishin arritur ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së javën e kaluar, ku tanimë përmendet, në mënyrë specifike, kushti i zbatimit të marrëveshjes së Brukselit nga Serbia. Marrëveshje kjo, prej 11 nenesh, e cila ndër tjerash parasheh që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë edhe marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut, madje BE, vazhdon të insistojë se marrëveshja dhe aneksi i saj, pavarësisht se nuk mbajnë nënshkrimin nga palët, janë obligime ligjore për të dyja vendet. E duke qenë se Serbia jo vetëm që e ka thënë dhe përtëritur disa herë por dhjetorin e vitit të kaluar, e ka vërtetuar edhe me letër zyrtare të Qeverisë drejtuar zyrtarisht BE-së në Bruksel, se ajo nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes që kanë të bëjnë me integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe pranimin e saj në organizata ndërkombëtare, pas ndryshimit të kapitullit 35, mbetet të shihet nëse Serbia, vërtetë do të orientohet nga ana e demokracisë perëndimore dhe integrimit në BE, apo do të mbetet satelit i Putinit në Ballkan dhe e orientuar nga Rusia!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".