Deliu thotë se ministrja Haxhiut po manipulon qytetarët

  • E.K /
  • 29 April 2024 - 13:10
Deliu thotë se ministrja Haxhiut po manipulon qytetarët

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, i ka reaguar ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu pasi ditën e djeshme tha se me pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës, do të hapen rrugë për padi për gjenocid ndaj Serbisë, përcjell “Kosova Sot Online”.

Sipas deputetes, një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Deliu- Kodra ka shkruar se vetëm një shtet anëtar i OKB-së mund të bëjë një padi të tillë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Deliu-Kodra tutje në reagimin e saj thotë se një gjë e tillë po bëhet edhe për të larguar vëmendjen nga themelimi i Asociacionit, gjë të cilën sipas saj kjo qeveri ka thënë se nuk do e bëjnë, por në fakt po e bëjnë, e edhe për padinë kanë thënë se do e bëjnë, por se s’po ndodh.

“Ministrja Haxhiu edhe një herë paska provuar t’i manipuloj qytetarët. Po thotë se pas pranimit në Këshill të Evropës, Kosovës i hapet rrugë për padi për gjenocid ndaj Serbisë. Kjo, fatkeqësisht, nuk është e vërtetë. Vetëm një shtet anëtar i OKB-së mund të bëjë një padi të tillë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Tani, janë dy arsye pse Ministrja Haxhiu bënë këso lojëra fjalësh: E para, për të larguar vëmendjen nga themelimi i Asociacionit – që po bëhen gati ta bëjnë. Dhe, e dyta por jo më pak e rëndësishme, për të “realizuar” gjoja një premtim elektoral, sikur ai për padinë për gjenocid ndaj Serbisë. Keni thënë nuk do ta bëjmë Asociacionin – po e bëni. Keni thënë do të bëjmë padi për gjenocid ndaj Serbisë – nuk po e bëni. Këta jeni ju”, ka shkruar Deliu-Kodra në Facebook.

(Kosova Sot Online)