Jo femicid, por gjenocid në familjet tona!

Jo femicid, por gjenocid në familjet tona!
Jo femicid, por gjenocid në familjet tona!

Florim Zeqa

  • 17 April 2024 - 13:17

Shkruan: Florim Zeqa

Kohëve të fundit është shtuar numri i vrasjeve të grave, të nënave dhe motrave tona shqiptare. Kjo është pasojë e mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë, kurse mosfunksionimi i sistemit të drejësisë është i lidhur ngusht me mosfunksionimin e sistemit qeverisës në vend, përkatësisht i keqeverisjes së vendit.

Vrasjet dhe vetëvrasjet shkatërrojnë embrionin e shtetit

Për fatin e keq, edhe përkundër ndërrimit të shpesht të qeverive, dukuritë negative po na përcjellin në çdo hap të jetës. Nuk janë vetëm vrasjet e grave, nënave dhe motrave tona, por janë edhe një varg i gjatë i dukurive negative të përhapura në vendin tonë, siq janë; piromania apo zjarrvënja e uzinave dhe objekteve afariste, djegia e dhomave të dëshmive të krimeve të rënda në stacionet policore, në IML dhe në gjykata, pastaj janë droga dhe prostitucioni, janë fajdegjinjët dhe trafikantët e qenjeve njerëzore dhe shumçka tjetër e keqe që po ndodhin në vendin tonë, fenomene këto të paqena në Kosovën e dikurshme!

Kur e kemi fjalën tek narkomanët dhe fajdegjinjët, shumë të rinjë dhe të reja shqiptare po bien pre e kurtheve të tyre, ku si pasojë e pamundësisë së daljes nga situatat e rënda, si zgjidhje e fundit po iu mbetët vrasja e familjarëve, vetëvrasja apo vetëvarja në litarë!

Bosët e narkomanëve dhe fajdegjinjëve janë të lidhur me bosët e politikës, andaj si të tillë janë të paprekshëm nga ligji dhe drejtësia!

Brenda katër ditve, dy vrasje të grave shqiptare

Mosndëshkimi i kryerësve të veprave kriminale, është duke ndikuar drejtëpërdrejt në shtimin e numrit të vrasjeve të grave, nënave dhe motrave tona shqiptare. Përveq “dënimit” verbal të liderëve shtetëror dhe partiak asgjë më shumë. Me pasojat e këtyre krimmeve më nuk merret askush! Fëmijët jetim mbesin barrë e familjarëve të viktimave, kurse për fatin e kriminelëve nuk di më askush, se a ndodhen në burg apo jo!?

Në anën tjetër liderët shtetëror dhe partiak e kanë shpikur “ujin e nxehtë” me termin “femicid”, të këtij “ilaçi” vdekjeprurës të shoqërisë sonë!

Kosova është shumë e vogël për të ndodhur dy vrasje të grave brenda katër ditëve. Ky nuk është femicid po gjenocid që është duke ndodhur në shoqërinë tonë. Përmes këtyre vrasjeve është duke u shkatërruar në embrion familja shqiptare, është duke u shkatërruar bërthama e shtetit.

Secila vrajse më e rëndë sesa tjetra, secili rast më i trishtë se tjetri, secila vdekje më e kobshme sesa tjetra.

Përderisa dhimbja dhe plagët shpirtërore të familjarëve mbeten të përjetshme, për politikanët zhduken nga kujtesa e tyre në momentin e leximit të një teksti apo fjalimi para arkivolit të viktimës, aty përfundon edhe interesimi i institucioneve lokale dhe qendrore për fatin e fëmijëve të mbetur jetim shkaku i dorës së zezë kriminale!

Nuk dëshirojë të marrë rolin e prokurorit dhe as të gjykatësit, të politikanit assesi, por, sikur të merreshin vetëm tre kryerësit e vrasjeve të fundit të grave dhe të vareshin në litarë përkrahë njëri-tjetrit në sheshin kryesorë në kryeqytet, të tjerët do të mendonin mirë dhe gjatë para se ta kryenin aktin kriminal.

Nëse nuk ndodh kjo, shumë shpejtë shqiptarët do t’i lënë menjëanë ligjet e shtetit dhe do t’iu kthehen rregullave kanunore për të mbrojtur nderin dhe dinjitetin familjarë, si domosdoshmëri e kohës për të mbijetuar nga rreziku i zhdukjes fizike si komb dhe shoqëri njerëzore, ngase shteti nuk po e bën këtë!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".