Letër nga qielli 

  • A.P /
  • 10 May 2024 - 14:26
Letër nga qielli 

Shkruan: Ilir Muharremi 

Po ju shkruaj këtë letër nga qielli dhe po më errën sytë dhe ndoshta s’do të mundem as ta përfundoj këtë letër,

Dje natën me vdiqën tre fëmijë. Tre engjuj. Tërë jetën luftova për t’i shpëtuar këto krijesa të vogla e të njoma.  Sapo erdhën në jetë, krejt orët e jetës së tyre qëndrova pranë shpirtrave të tyre. Edhe në çastet kur kishin temperaturë, nën ethet e zjarrta që shkundin trupin e tyre të gjorë, unë ju qëndroja pranë krevatit. Shpesh ju vura pece të ftohta mbi ballin e tyre të zhuritur, ju shtrengoja duart e vockla e të shqetësuara e përpëlitëse. Çdo klithmë që lëshohej nga shpirti dhe buzët e tyre, për mua ishte një shpuarje në zemër. Radhën e gjumit e prisja e fundit nganjëherë edhe  flija mbi karrige të fortë. E ndjeja frymëmarrjen e lehtë të engjujve të mi dhe ritmin e ngadalsuar të zemrës. Radha atëherë më vinte mua që t’i dorëzohesha gjysmë vdekjes. 
Aq sa kishim jetë herë ishim të lumtur e herë të zhgënjyer, në fund të fundit zhurma dhe loja e jetës ka këto ngjyra.
Nata po afrohej, dritat që ndriçojnë qytetin sonte janë zbehur dhe vëreja në sytë e mi dritë teksa përpëlitej nën qerpikun tim. Dy fëmijët e vegjël i mbaja të shtrënguar dorë për dore. I ndjeja shtrëngimet e duarve të vockëla veçanërisht majet e gishtërinjëve të ftohura dhe zhurmën e pandërprerë të hapave.

 

 

Teksa ecnin mbi urë, ndjeja nën këmbë e mia rrëshqitjen e rrymave të ujit të ftohtë të Bunës. Më dukej sikur kjo urë po lëvizë dhe toka po merr frymë, dhe rruga që po merrnim sonte zgjatjen e ka deri në qiell. Përnjehërë yjet në qiell na braktisen, jeta jonë më nuk është e jona. Këtë arrija ta kuptoja. 
Çdo çast dritat zbeheshin, vëreja qiellin e zi. Unë e ndjeja vdekjen, por nuk e kuptoja rëndësinë e saj. Vogëlushat ecnin dhe ecnin pas meje, të kapur, qeshnin, flisnin për të nesërmen për planet e tyre. Mendoja edhe të kthehesha nga kjo rrugë, diçka nga brenda më shtynte të vazhdoja dhe përnjehërë mu duk si rrugë me mjegull dhe akull. Nëse kthehesha prapë do vazhdoja drejt mjegullës dhe akullit, atëherë vendosa të ecja prapë drejt lumit të ftohtë, aty te qetësia, klithma shpirtërore, heshtja e përjetshme e rehatisë, fundit kaotik dhe poshtërsisë njerëzore. Teksa bashkoheshim nën ngrohtësinë qiellit, ftohtësia e lumit ishte shumë e shpejtë dhe nuk zgjati shumë. Engjujt nuk patën kohë të qanin. Jemi shtrenguar shumë ashtu tok pa zhurmë ikëm. Zëri i tyre është tash zëri i perendive. 
Në fillim mu morën mendtë dhe e plotësova mundësinë e vetme që e kisha, pra vdekjen tonë. 
Lidhja ime biologjike me engjujt nuk më frenoi që në paralindje, i kishe dikund në fantazinë time, gjatë jetës edhe t’i merrja prapë në fundin tim pas. Askush nuk mund ta këput lidhjen e fortë të nënës me fëmijët e vet.
Tani engjëjt e mi qëndrojnë të shtirë atje në krevatin e tyre të ngushtë fëmijëror, sytë i kanë të mbyllur, sy të zgjuar, të bukur, duart i kanë të kryqëzuara, e qirinjtë digjen rreth trupave të tyre e unë mezi i hedh sytë tek ata. Arsyeja se kur flakërojnë qirinjtë mby fytyrat e tyre të bukura dhe mbi gojën tashmë të kyçur, valëviten hije, e më duket sikur i lëvizin tiparet, më duken se janë të gjallë, do zgjohen përsëri, me zërin e tyre fëmijëror do më klithin në vesh “Nënë, ne prapë të duam”.


Ky tekst i dedikohet nënës Alma Arrazi e cila u vet-mbyt me tre fëmijët e saj

(Kosova Sot Online)